Programi “Gen-D – Nurturing a Digital Future”, i vënë në jetë nga Propulsion me mbështetjen e Microsoft, u prezantua sot për herë të parë me qëllimin që të japë kontributin e tij në transformimin digjital në fushën e arsimit në Shqipëri dhe në vende të tjera pjesëmarrëse. Bashkëpunimi me këtë program do të përfaqësojë një burim të vlefshëm për të mësuar dhe për të përcjellë dije në fushën e informatikës. Përmes këtij programi, studentët e të gjithë rajonit do të kenë në dispozicion të gjitha materialet e krijuara në Serbi në gjuhën angleze. Të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë program (Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroacia, Bullgaria dhe Serbia) do të punojnë për të lokalizuar materialet në mbështetje të standardeve arsimore dhe për përmirësimin e tyre.
“Microsoft është gjithmonë e gatshme të mbështesë çdo nismë që nxit zhvillimin e industrisë vendase të IT-së. Ajo që të gjithë së bashku kemi ndërmarrë për reformën e edukimit në fushën e IT-së nëpër shkolla ndoshta shënon suksesin më të madh në rrugëtimin tonë të gjatë, pasi ne po krijojmë ata breza që programimi do tu duket i lehtë dhe familjar. Për këtë arsye, është tejet e rëndësishme që këtë sukses ta tregojmë dhe ta ndajmë mes nesh në të gjithë rajonin,” u shpreh Tanja Tatomirovic, Drejtuese për Komunikimin dhe Filantropinë për Microsoft CEE Multi-Country.
Deri përpara pak vitesh, programimi përmendej rrallë në tekstet shkollore në shkollat fillore dhe të mesme në Serbi. Sot, fjalë të tilla si “Python” dhe “Scratch” janë kthyer në fjalë shumë të zakonshme që përdoren gjatë orëve të mësimit. Këto fjalë janë emrat e gjuhëve moderne të programimit që përbëjnë një bazë të shkëlqyer për përvetësimin maksimal të aftësive programuese. Në këtë mënyrë, çdo student do të ketë mundësinë të bëhet programues në atë vend ku industria e IT-së prej vitesh përfaqëson ndër eksportuesit më të mëdhenj. Kjo është arsyeja pse modeli i programit mësimor të programimit, i zhvilluar nga Loop Foundation në Serbi, në të ardhmen do të ofrohet në katër vende të rajonit në kuadër të programit “Gen-D – Nurturing a Digital Future”. Ky projekt do të ofrojë në Shqipëri, Bullgari, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci modelin Serb të programit mësimor për programimin.
0 Comments
Leave a comment