Zâ Fest përfaqëson një nga ngjarjet më të veçanta që ndodh në Shqipëri përgjatë vitit, për çfarë përfaqëson dhe për sa shumë njerëz ka bërë bashkë në këto vite! Prej dy vitesh Iceberg Communication është organizator dhe mbështetës i këtij eventi dhe me krenari themi se ky festival është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme mbi kulturën, trashëgiminë dhe natyrën e vendit tonë.
Pjesëmarrësit që e kanë frekuentuar në tre edicionet e tij kanë qënë shqiptarë nga të gjitha trevat brënda dhe jashtë vendit, sikurse shumë të huaj dhe grupmoshat i përfshijnë të gjithë brezat, veçanti kjo e Zâ Festit! Por në një kohë të vështirë, si kjo që po jetojmë na u desh të përshtateshim me ndryshimet, ndaj edicioni i katërt i Zâ Fest, vjen online.
Magjia e tre ditëve me muzikë, poezi dhe aktivitete, do t’i përcillet publikut të Zâ Fest, përmes një filmi, premiera e të cilit është më datë 27 shtator, ora 18:00 në YouTube e faqen e Facebook-ut të Zâ Fest, Iceberg Communication dhe mbështetësit kryesor Delegacioni e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Festivali është krijuar nga kantautori dhe multi-instrumentisti Vlashent Sata me qëllimin për të krijuar të një strukture që rizgjon vlerat shqiptare, kultivon artin i cili bashkon njerzit në gjuhët e tij universale, ruan natyrën, rrit ndërgjegjësimin e jo vetëm.
Këtë vit, ishte besimi i mbështetësve besnikë dhe bashkëpunëtorëve, që ndajnë largpamësinë e të gjitha përfitimeve që buron nga ky aktivitet, ato që i dhanë shpresë drejtorit artistik Vlashent Sata të besonte se edicioni i katërt i Zâ Fest, pavarisisht pandemisë, nuk duhet të mungonte. Ndonëse interesi ishte shumë i lartë dhe gjithëkush priste të përjetonte magjinë e Thethit, duke respektuar rregullin që ndalon grumbullimet, festivali u organizua në datat 14, 15 dhe 16 gusht në mungesë të publikut të gjerë.
Shkodra ka qenë gjithnjë shtëpia e Zâ Fest, por këtë vit, për të parën herë, skena e festivalit u ngrit dhe në Kalanë e Rozafës, një monument mijëvjeçar edhe një trashëgimi e vendit tonë. Jo më kot i quajtur Zâ (gegnisht za, zani, zeri) një nga pikat më të forta të “Zâ- Festival” është muzika. Mes atyre mureve që mbartin histori të jashtëzakonshme, magjikja mori formë e vendi u elektrizua nga performanca e artistit Vlashent Sata dhe bandës së tij. Për herë të parë në atë skenë u ngjitën gjithashtu Shkodra Elektronike dhe Sytë, dy grupe të reja, por shumë të pëlqyera, muzika e të cilëve karakterizohen nga stili dhe rryma e veçantë.
Përcjellja e mesazheve të forta është një tjetër qëllim i Zâ Fest. Në vendet më të bukura të Thethit ishte artistja Ilire Vinca, me një karrierë prej më shumë se 3 dekada në fushën e pedagogjisë, kinematografisë dhe në skenën e teatrit, e cila performoi poezi dhe përçoi mesazhe për të drejtat e grave e jo vetëm. Qëllimi kryesor është që të gjithë, të udhëhiqemi nga kultura dhe e bukura, nga origjina e vendit tonë ! Mendim i mirë, rri me ne edhe këtë herë !
0 Comments
Leave a comment