Historia shkruhet më mirë përmes fotove; Ekspozita e World Press Photo përmbledh imazhet më kuptimplota të vitit 2020

Viti që lamë pas, padyshim ka lënë gjurmë të pashlyera në memorien e njerëzve mbarë botës, që u përballën me pasojat e një pandemie të rëndë si ajo e COVID-19. Mes një morie informacionesh, herë të filtruar e herë jo, shifrave me mungesë interpretimi, raportesh e jo vetëm, shumë prej nesh ngritën pyetjen: Vallë vetëm shifra jemi në këtë jetë? Jo, historia e kësaj periudhe jo të lehtë për të gjithë shoqërinë njerëzore do të tregohet më mirë mes fjalëve, përjetimeve, historive personale e fotove që ‘flasin’ sa një mijë fjalë.
Të vizituarit ekspozitën e hapur të World Press Photo , do t’ju japë pikërisht perspektivën për të parë shumë më larg kuadratit që na vendos media dhe interpretimeve që na serviren të gatshme për të formësuar opinionet e turmës.
Që prej vitit 1955, Konkursi vjetor World Press Photo ka vlerësuar fotografët profesionistë për fotografitë më të mira, të prezantuara më vete ose si histori në kategori të ndryshme, por nuk mund ta mohojmë se fotot më të mira të vitit 2020 mbartin një tjetër lloj peshe e ngarkese emocionale.
Një juri e pavarur e përbërë nga 28 profesionistë të fotografisë, përzgjodhi fotografitë dhe historitë më të mira të vitit 2020 dhe zgjodhi fotografinë e Mads Nissen, Përqafimi i Parë si foto e vitit për World Press, dhe Habibi nga Antonio Faccilongo si foto reportazhi i vitit për World Press.

Në një vit jo të zakonshëm të shënuar nga pandemia COVID-19 dhe protestat e drejtësisë sociale në të gjithë globin, fituesit na njohin gjithashtu me një larmi çështjesh të tjera urgjente të tilla si kriza klimatike, të drejtat e transgjinorëve dhe konfliktet territoriale.
World Press Photo 2021 u organizua në kuadër të 50 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Holandës.
Ekspozita që sillet në Shqipëri për herën e katërt nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve Të Ulta në Tiranë me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës mund të vizitohet në hapësirën në krahë të Bashkisë së Tiranës deri më 10 tetor 2021 pa asnjë pagesë.
Në mbështetje të ekspozitës, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve Të Ulta në Tiranë organizon dhe një konkurs eseje për të rinjtë e moshave 13 – 20 vjeç me temën “Which photo impacted you the most and why?”. Esetë e shkruara në gjuhën angleze do pranohen deri në datën 15 tetor në adresën e email-it Tir@minbuza.nl.
Më poshtë do të përmbledhim në një fotogaleri disa nga fotot fituese të konkursit, e për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni ekspozitën që udhëton në mbarë botën për gjatë gjithë vitit, e që për publikun shqiptar do të jetë e aksesueshme deri më 10 tetor.

0 Comments

Leave a comment