“Ditët e Bujqësisë 2022” panairi 3 ditor që i hap dyert bashkëpunimeve rajonale, me BE-në dhe vendet nordike

“Ditët e Bujqësisë 2022”, Panairi Ndërkombëtar i Bujqësisë, Teknologjive, Ushqimit dhe Përpunimit u organizua në datat 19-21 Maj, 2022 në qytetin e Lushnjes. I njohur si kryeqyteti i eksporteve bujqësore, me akses në tregje të ndryshme, qyteti i Lushnjes ka zgjeruar hartën e produkteve “Made in Albania” jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe drejt Bashkimit Evropian e deri në vendet Nordike.
Duke qenë se bujqësia është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë në Shqipëri me rreth 350,000 sipërmarrje bujqësore aktive, organizimi i këtij eventi 3-ditor pati si qëllim kryesor krijimin e platformave të komunikimit për bizneset, krijimin e partneriteteve të reja dhe forcimin e bashkëpunimeve ekzistuese në sektorin ku punon aktualisht 44% e popullësisë.
Me 50 kompani pjesëmarrëse përfshirë këtu VODAFONE, MBM COMPANY, AGROTEC, FEDINVEST, LISAR SEEDLINGS, POGONI e shumë kompani të tjera, “Ditët e Bujqësisë 2022” ofroi mundësi të shkëlqyera për bizneset dhe profesionistët në sektorin e bujqësisë, duke mbuluar të gjithë tregun e Ballkanit.
“Ditët e Bujqësisë 2022” është panairi më i madh dhe më i rëndësishëm për bizneset dhe profesionistët në sektorin e bujqësisë, pasi përgjatë 3 ditëve, pjesëmarrësit patën mundësi jo vetëm të takojnë klientë dhe furnitorë të ndryshëm, por edhe të merrnin pjesë në konferenca, forume dhe workshop-e për të ndjekur zhvillimet më të fundit në teknologjitë bujqësore.


Duke qenë se kërkesa për fruta dhe perime të freskëta cilësore në tregjet perëndimore pritet të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe blerësit e mëdhenj do të jenë gjithnjë e më shumë të interesuar të sigurojnë burime nga tregjet në zhvillim si Shqipëria, workshopi i organizuar nga Richard Arnold, ekspert i tregtisë ndërkombëtare, ishte një vlerë e shtuar për “Ditët e Bujqësisë”.
Gjithashtu ekspertiza e Asetila Koestinger (Koestinger & Partners e GatewayPartners Export Powerhouse) hodhi drita jo vetëm mbi problematika aktuale si për shembull gabimet më të zakonshme gjatë procesit të eksportimit drejt BE-së, por dha përgjigje për një nga pyetjet më të shtruara në këtë sektor, si të gjeni tregje eksportuese për produkte të caktuara.
Gjatë workshopit me titull “Rruga e eksportit të frutave dhe perimeve shqiptare drejt tregjeve evropiane me standart të lartë” një sërë temash u trajtuan nga Richard Arnold. Nga tendencat e kërkesës menaxhimi i cilësisë dhe certifikatat te standardet e marketingut deri tek konkurrenca dhe çmimet.
Përgjatë eventit 3-ditor, me raste studimore të ndryshme, informacione të vlefshme, konferenca e workshop-e, sipërmarrësit në bujqësi e të gjithë aktorët e këtij sektori përfituan e patën një panoramë më të qartë të të gjithë sistemit.


Në eventin, organizimi i të cilit nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin me partnerët VODAFONE, Bashkia Lushnje, MBM, FED INVEST, LISAR SEEDLINGS, AIDA, AUSTRIA PREMIX, AGROTEC, nuk munguan as autoritetet më të larta të vendit, sektorit të agrikulturës e jo vetëm.

Rreth Iceberg Exhibitions
Iceberg Exhibitions prezantohet nga Iceberg Communication si organizator i panaireve dhe eventeve në fushën e biznesit. Iceberg Exhibitions organizon panaire dhe evente në fushën e biznesit në sektoret me impakt të rëndësishëm në ekonominë e rajonit si bujqësia, ndërtimi dhe energjia, turizmi etj. Objektivi kryesor i Iceberg Exhibitions është të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e marrëdhenieve strategjike mes rajonit të Ballkanit dhe tregjeve ndërkombëtare, duke bashkuar njerëz dhe duke ndarë vizionet. Iceberg Exhibitions synon të sjellë eventin aty ku sektori ka impaktin më të madh pa u limituar me një vendodhje apo venue të caktuar.

0 Comments

Leave a comment