Balkan Film Market: Eventi katër ditor që dëshmoi suksesin e eventeve hibride online dhe onsite

Kohë pas kohe, gjatë këtij shekulli, industria e filmit është përballur me sfida të shumta. Revolucioni teknologjik, digjitalizimi dhe shumë faktorë të tjerë kanë pasur një ndikim të madh në këtë industri, por megjithatë, asgjë nuk përgatiti profesionistët e filmit për t’u përballuar me një nga armiqtë më të vjetër të njerëzimit, pandeminë. Gjithëkujt iu desh të transformonte rrënjësisht mënyrën e të të vepruarit e punuarit dhe të përshtatej në këto rrethana të jashtëzakonshme.

Nëse gjatë 3 edicioneve të mëparshme të Balkan Film Market, priteshin më shumë se 200 të ftuar çdo vit, ishte paksa e pazakontë që ky edicion të organizohej si një event me rreth 50 persona gjatë ceremonisë hapëse më 12 nëntor, e me më pak të ftuar përgjatë tre ditëve të tjera.

Shkëmbimet, bisedat ballë për ballë janë aq shumë të rëndësishme në rrethet e krijuesve, por  Balkan Film Market 4 ishte eventi që na dëshmoi të gjithëve, suksesin e eventeve hibride online dhe onsite.

Edicioni i katërt i Balkan Film Market u organizua për herë të parë si një event i tillë, ku për katër ditë, u zhvilluan takime live dhe online në Zoom, workshop-e dhe panele diskutimi mbi trendet dhe perspektivat e reja të zhvillimit të industrisë së filmit në rajon. Në favor të këtij bashkëpunimi, edhe këtë vit BFM arriti të mblidhte të gjithë profesionistët e fushës si dhe të interesuarit për t’u bërë pjesë e platformës.

Në katër ditë, u zhvilluan 10 panele online dhe onsite, u prezantuan 9 projekte dhe pati mbi 60 folës, regjisorë dhe producentë që ndanë eksperiencën e tyre dhe i shtuan vlerë këtij edicioni.

Në ndryshim nga edicionet e tjera, këtë vit, projektet u prezantuan online dhe u publikuan në website-in e BFM-së.  Tematikat ishin nga më të ndryshmet, nga mitet e vendeve ballkanike, migrimi dhe braktisja e vendit, surrogacia etj, dhe u ndanë 3 çmime
Best Pitch shkoi për projektin “Planet 7693” me regjisor Gojko Berkuljan (Mali i Zi) 

The BFM 2020 Equality Award për projektin “3 kilograms of happiness” nga Sofia Zornitza (Bullgaria)

Pitch Balkan Discovery Award për “Everybody calls Redjo” nga Ibër Deari (Maqedonia e Veriut) (mund t’i shihni këtu.)

“Të krijuarit në kohë pandemie”, “Të përshtatesh do të thotë të mbijetosh” “Gratë përpara dhe pas kamerave”, “Mobile Cinema” etj ishin disa nga panelet që mblodhën disa nga emrat më të suksesshëm në fushën e artit, industrisë së filmit, sipërmarrjes e jo vetëm. Eduart Makri, drejtues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, producentët francezë François Margolin dhe Guillaume De Seille,  Eno Milkani, Genc Përmeti, Arben Zharku, Enrico Vannucci, Boris Mitic, Massiliano Nardulli etj ishin disa nga të ftuarit në panelet e diskutimeve në ambientet e Tulla Center si dhe gjatë takimeve online në Zoom, evente që u përcollën gjithashtu përmes rrjeteve sociale. 

Ishte mbështetja së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, bashkëpunimi i ngushtë me Ambasadën e Francës në Shqipëri, Iceberg Communication për të katërtin vit rradhazi ,  Centre Nacional du Cinema et de l’image animee dhe Tulla Culture Centre, ato që mundësuan që ky edicion mos të mungonte, edhe pse shumë evente u anulluan për shkak të situasës.

Asgjë nuk ishte e lehtë, por gjithçka që ndodhi në takimet në ambientet e Tullës, u pasqyrua dhe online, duke arritur në këtë mënyrë audiencën e synuar, në pamundësi për t’u grumbulluar në një vend. Interesi ishte po aq i lartë dhe dëshmoi sesi teknologjia bën të mundur gjithçka!

“Në fund të ditës ajo çfarë mbetet e pandryshuar, është dëshira jonë njerëzore për të krijuar, për të treguar histori dhe për t’u lidhur emocionalisht me njëri-tjetrin” përfundon Andamion Murataj, drejtor i BFM-së.  

0 Comments

Leave a comment